Pacienti ankohet se mjekja e QKUK-së nuk gjendet në vendin e punës (VIDEO)

Një prind është ankuar në KALLXO.com se nuk ka gjetur në vendin e punës mjeken pediatre në Ambulancën Specialistike të Spitalit të ri Pediatrik dhe se kanë pritur rreth një orë.

KALLXO.com ka pranuar një video ku një prind i cili ka dërguar foshnjen për kontroll nuk gjen mjeken pavarësisht se ishin njoftuar nga vet mjekja që do të fillonte me kontrollet te foshnjet në orën 10:00 të mëngjesit.

Videoja e dërguar nga qytetari mban përshkrimin se kur është bërë xhirimi. Sipas përshkrimit videoja është xhiruar në ora 10:58.

Sipas prindit, pas një ore në atë vend pune ka ardhur një mjeke tjetër e cila ka vazhduar më pas kontrollet.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë për informacione në QKUK rreth mungesës së mjekes në vendin e punës dhe ende është në pritje të përgjigjes së tyre.

KALLXO.com ka telefonuar poashtu edhe drejtoreshën e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci Uka, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.