Foto: KALLXO.com

Uran Ismaili mungon në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin për vrasjen në lokalin "Bon Vivant"

Në seancën e gjykimit për vrasjen që kishte ndodhur më 2014 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë për sot ishte paraparë të dëshmonte Uran Ismaili.

Mirëpo, Ismaili nuk ka ardhur në seancë.

Sipas Gjykatës, Uran Ismaili kishte njoftuar se do të vinte nëse do të ishte në Kosovë.

Së bashku me Ismailin në cilësinë e dëshmitarit sot pritej të dëgjohej edhe dëshmitarja Egzona Berisha.

Kjo e fundit nuk e ka arsyetuar mungesën e saj.

Si rrjedhojë, me qellim që të mos zvarritej procedura penale, palët në procedurë janë pajtuar që të konsiderohen si të lexuara deklaratat e dëshmitarëve në këtë rast.

Në këtë seancë mbrojtësi i të pandehurit Sherif Krasniqi, Haxhi Millaku, nga Gjykata kërkoi që të mbrojturit të tij t’i hiqet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me atë të arrestit shtëpiak.

“Meqenëse tani jemi në këtë fazë të procedurës ku baza, kushtet dhe rrethanat për të cilat është vazhduar paraburgimi, arsyet si të tilla kanë pushuar, i propozoj Gjykatës që në situatën nëse nuk i ndërpritet në tërësi masën e paraburgimit të paktën të njëjtën ta ndryshojë, qoftë edhe me arrest shtëpiak…”- ishte propozimi i Millakut.

Gjykata refuzoi propozimin e avokatit Millaku.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi, të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtorë për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e Rrahman Ukës.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtorë për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.