I akuzuari Skender Bislimi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Ndërrohet prokurori në gjykimin për krime lufte

Në gjykimin ku Skender Bislimi po akuzohet për krime lufte në Fushë Kosovë do të ndërrohet prokurori i çështjes.

Seanca e sotme ishte seanca e fundit e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të EULEX, Charles Hardaway, për shkak të përfundimit të mandatit të këtij misioni.

Tani më pritet që lënda t’i transferohet një prokurori vendor.

Deri më tani, gjykata ka administruar të gjithë dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, ata të cilët kanë qenë të arritshëm.

Ndërkaq, për dy dëshmitaret të cilat supozohej të dëshmonin, Shpresa Gërvalla dhe Naile Bajrami, u bë e ditur se Policia ka verifikuar se të njëjtat jetojnë jashtë vendit dhe janë të paarritshme për gjykatën.

https://kallxo.com/akuzuar-per-krime-lufte-skender-bislimi-del-para-gjykates/

Rrjedhimisht, gjykata mori aktvendim që deklaratat e këtyre dy dëshmitarëve të konstatohen të lexuara.

Sa i përket dëshmitarit të fundit, Sabit Jasharit, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se është vërtetuar se i njëjti vuan nga një sëmundje ku pothuajse është i palëvizshëm.

https://kallxo.com/kerkohet-ekspertize-psikologjike-per-te-akuzuarin-per-krime-lufte/

Por, përkundër këtij fakti, prokuroria kërkoi që i njëjti të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit edhe para trupit gjykues.

Për shkak të gjendjes së tij fizike, gjykata mori aktvendim që i njëjti të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në shtëpinë e tij.

Kjo pritet të ndodhë më 23 korrik.

https://kallxo.com/deshmitari-rrefen-si-u-rrahen-e-u-detyruan-te-kendojne-kenge-cetnike/

Po ashtu u caktua edhe një seancë tjetër më 26 korrik ku pritet që i akuzuari Skender Bislimi të japë mbrojtjen.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Skënder Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur e  kishin arrestuar Bujar e Haki Bajrami.

https://kallxo.com/deshmitarja-axhen-dhe-vellain-i-detyruan-te-kendojne-serbisht/

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në lagjen Arbëri, ish-Dragodan pas luftës.

Skënder Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

https://kallxo.com/gruaja-e-te-akuzuarit-per-krime-lufte-kishim-frike-nga-serbet-e-shqiptaret/

Skënder Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

https://kallxo.com/motra-e-te-vrarit-gjate-luftes-deshmon-ne-gjykimin-e-skender-bislimit/

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.