Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i EULEX, Giovanni Pietro Barbano. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kurti për regjistrimin e automjeteve me targa legale në veri: Proces pozitiv dhe shembull i respektimit të ligjit

“Proces pozitiv, shembull i respektimit të ligjshmërisë, rezultat i lehtësimit financiar të ofruar nga qeveria dhe gatishmërisë së qytetarëve për integrim” – janë fjalët me të cilat kryeministri Albin Kurti përshkroi procesin e regjistrimit të automjeteve me targa legale të Kosovës nga qytetarët në katër komunat në veri të vendit.

Këto fjalë Kurti i tha sonte në një takim me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Zyra e Kryeministrit njofton se ky takim u përqëndrua në temat e sigurisë, sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe reformat e ndërmarra deri më tani. Gjatë bisedës u fol edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në shërbim të të gjithë qytetarëve e Kosovës” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Më 15 dhjetor ka përfunduar afati për regjistrimin e automjeteve me targa legale të Kosovës.

Gjithsej  4 mijë e 248 vetura janë regjistruar me targa RKS, ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, 3,443 janë regjistruar nga 1 nëntori deri më 15 dhjetor ndërsa 805 ishin regjistruar në periudhën para 1 nëntorit.

Ky afat do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor, por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për regjistrim.