Mustafa: Presidenti Zgjidhet në Muajin Shkurt

Përderisa afati për zgjedhjen e Presidentit të vendit çdo ditë po afrohet, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ende nuk kanë dhënë një datë finale se kur do të bëhet kjo.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ende nuk është mbledhur për ta thirrur seancën e radhës ku do të jetë në rend dite zgjedhja e Presidentit, ndërsa kjo seancë pritet të jetë e para e sesionit pranveror.

Ndërsa kreu i  Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media të mbajtur sot, tha  se zgjedhja e Presidentit pritet të bëhet gjatë muajit shkurt.

“Afati është që këtë punë ne ta kryejmë deri në javën e parë të marsit dhe ne do të bëjmë përpjekje që kjo të kryhet gjatë muajit shkurt, por data nuk është përcaktuar, do të përcaktohet me agjendën e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës,” tha Mustafa.

Ndërsa në lidhje me takimet e fundit të mbajtura nga Kryeministri, me sindikatën e Policëve të Kosovës, veteranëve si dhe me të rinjtë e vendit, ai e quajti si përpjekje të Qeverisë për t’i dëgjuar mendimet dhe problemet e të gjitha palëve të shoqërisë në vend.

Ai tha se këto takime nuk kanë të bëjnë asgjë me protestën e thirrur nga partitë opozitare që do të mbahet me 17 shkurt.

“ Unë kam pasur takime me veteranët, me sindikata, me të rinjtë për ta parë se si është disponimi i tyre, sepse unë si Kryeministër i vendit duhet ta di se çfarë mendojnë ata në lidhje me gjendjen aktuale dhe problemet aktuale dhe se si ata propozojnë që këto probleme të zgjidhen dhe asnjëri prej tyre nuk ka thënë se këto probleme mund të zgjidhen përmes gurëve, gazit, molotovit, por kanë thënë se këto probleme duhet të zgjidhen në institucionet e Republikës së Kosovës,” tha Mustafa.

[interaction id=”56bf3fd5e55f8d3b22d0fd55″]