Mustafa: Nuk do të Diskutojmë për Murin

Duke iu drejtuar deputetëve në debatin e kërkuar nga AAK-ja për murin e ndërtuar në Mitrovicë, Kryeministri Mustafa deklaroi se nuk do të diskutohet për murin.

“Ne kemi thënë qartë se nuk do të pranojmë të diskutojmë për murin. Sepse po të  ulemi të bisedojmë për murin, ne ulemi e bisedojmë për një objekt ilegal në mënyrë që atë ta legalizojmë dhe ajo nuk do të bahet. As s’bahet shkallë, do të thotë si qeveri s’pajtohemi kurrë të bisedojmë për të,” tha Mustafa.

Kryeministri më tutje deklaroi se çfarë ka nënshkruar në Bruksel, ndërsa tha se muri nuk ishte pjesë e marrëveshjes.

“Me përgjegjësinë ligjore e etike unë them se në Bruksel nuk është diskutuar për murin dhe s’ka qenë muri pjesë e këtij projekti. Pjesë e këtij projekti ka qenë rekonstruktimi i urës mbi lumin Ibër, dy rrethrrotullime njëri në pjesën veriore dhe tjetri në atë jugore dhe shndërrimi i rrugës ‘Mbreti Petër’ në shetitore,” tha Mustafa.

Megjithatë, drejtuesi i qeverisë duke e paraqitur gjendjen e  tashme në veri më të mirë, kujtoi kohën kur në atë pjesë të Kosovës ishin 20 barrikada dhe doganierët transportoheshin me helikopterë.

Mustafa megjithatë e pranoi se ende ka probleme në veri.

“Unë s’po them se nuk kemi probleme, por tash ato probleme nuk mund t’i hedhim te njëri-tjetri. Se të gjithë kur po shkojmë në Mitrovicë po ndalemi te gjithë te një tel atje, edhe pse këtu po kallxojmë trimni,” tha Mustafa.

Muri në veri nisi të ndërtohet në fillim të dhjetorit, ndërsa ambasadori amerikan Delawie u deklarua kundër tij më 16 dhjetor.

http://kallxo.com/delawie-kunder-murit-ne-veri/

Edhe shefja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova më 14 dhjetor tha se BE-ja nuk ndërton mure.

http://kallxo.com/apostolova-nuk-nderton-mure/

Kryeministri Mustafa murin e quajti “vepër e ndyrë e strukturave paralele serbe”, ndërsa deklaratat e Mustafës rreth murit  u vlerësuan rrenë e kryetë nga Krypometri, produkti i KALLXO.com që mat sasinë e gënjeshtrës në deklarimet e politikanëve.

‘Muri’ i Rrenave të Kryeministrit

Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq tha më 10 dhjetor për KALLXO.com se muri do të zvogëlohet.

http://kallxo.com/rakiq-muri-te-zvogelohet/