Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Mustafa Deklarohet rreth Bojkotit të ‘Listës Serbe’

Kryeministri Isa Mustafa është deklaruar sot rreth vendimit të “Listës Serbe” për t’i pezulluar aktivitetet në kuadër të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

I pyetur nga gazetarët rreth çështjes, Mustafa tha se ky vendim e qëndrim nuk i kontribuon bashkëpunimit tonë për zgjidhjen e problemeve jetike jo veç për serbët por edhe për të gjitha komunitetet e tjera.

“Edhe ministrat edhe deputetët të kthehen e të ulemi dhe përmes trajtimeve të përbashkëta të gjejmë zgjidhje për problemet”, tha kryeministri Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët me zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian Christian Danielsson.

Ndërsa, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur absurd bojkotin e institucioneve nga “Lista Serbe”.

http://kallxo.com/veseli-e-quan-absurd-bojkotin-e-listes-serbe/

Vendimin për të bojkotuar institucionet qendrore të Kosovës “Lista Serbe” e ka marrë dje. Ky vendim i kësaj partie, që është pjesë e koalicionit qeveritar, vjen si rezultat i Ligjit për “Trepçën”, i miratuar në Kuvendin e Kosovës në ora 01:32 të ditës së shtunë.

Veprimi i parë bojkotues ishte sot mospjesëmarrja e anëtarit të Kryesisë dhe e shefit të grupit parlamentar të “Listës Serbe” në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

http://kallxo.com/lista-serbe-mungon-ne-kryesi-te-kuvendit/