Gjykimi për armëmbajtje pa leje – Foto: KALLXO.com

Mungon prokurorja, shtyhet gjykimi për armëmbajtje pa leje

Në gjykimin për armëmbajtje pa leje është shtyrë seanca gjyqësore pasi që ka munguar prokurorja e rastit.

Mungesën e prokurores së çështjes e konstatoi kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, e cila tregoi se prokurorja kishte qenë e njoftuar që nga seanca e kaluar për datën e kësaj seance por tha që momentalisht e njëjta ndodhet në një seancë tjetër gjyqësore te një gjyqtar tjetër.

“Mungon prokurorja Besa Limani, e cila njoftoi se është e zënë në një seancë te gjyqtari Hamdi Ibrahimi. E prita pak, por nuk erdhi. Unë duhet me e shty seancën, po më vjen shumë keq duhet edhe një herë me ardhë. Sot erdha veç me e konstatu praninë e juaj dhe me ju tregu për datën e seancës së radhës”, tha gjyqtarja Çerkini.

Gjatë ditës së sotme është shtyrë edhe një seancë tjetër po për shkak të mungesës së prokurores Besa Limani.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor, seanca e radhës u caktua për më 27 shtator.

Sipas aktakuzës i pandehuri Imer Neziri në qershor të vitit 2006 në fshatin Bervenik ka përdorur armën me frikësim, në atë mënyrë që pas një fjalosjeje me të dëmtuarin Basri Neziri, e ka nxjerrë revolen TT, e prodhimit jugosllav, ngjyrë të zezë dhe ia ka drejtuar të dëmtuarit Basri dhe kur i dëmtuari Sami Neziri ka ndërhyrë që t’i ndajë ata, i pandehuri e ka kapur për fyti të dëmtuarin Sami dhe e ka rrëzuar përtokë dhe ka shtënë një herë poshtë te këmbët e të dëmtuarit Basri dhe pas kësaj ka shtënë edhe një herë mbi kokën e tij, ndërsa kur Basriu është nisur me kamion që të ikë, i pandehuri e ka ndjekur pas, ka dalë para kamionit dhe ka shtënë edhe një herë në drejtim të Basriut.

Në bazë të aktakuzës, i pandehuri tjetër Ujup Neziri në vend dhe në kohë të njëjtë ka përdorur po ashtu armën me ngjyrë të zezë, të tipit të panjohur.