Nga një seancë gjykimi ndaj zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit - FOTO KALLXO 30.10.2018

Mungon gjykatësi, shtyhet seanca ndaj ish-zyrtarëve të Akreditimit

Seanca gjyqësore në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit Ferdije Zhushi e Basri Muja të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje të ryshfetit, si dhe të akuzuarit tjetër Armend Muja që akuzohet për marrje ryshfeti, ka dështuar, kjo për arsye të mungesës së njërit prej anëtareve të trupit gjykues.

Ndonëse fillimisht palët në këtë procedurë si dhe publiku u njoftuan se gjykimi do të filloj me 10 minuta vonesë, për shkak se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Isuf Makolli ndodhej në një mbledhje së bashku me kryetaren e Gjykatës, edhe pas 1 orë e 15 minutash pritjeje, seanca gjyqësore nuk filloi.

Arsyeja e dështimit të seancës ishte për faktin se edhe pas 1 orë e 15 minutave pritje nuk ishin plotësuar kushtet për fillim të seancës gjyqësore pasi që gjykatësi Isuf Makolli ende ndodhej në mbledhje.

“Arsyeja e pritjes deri tash ishte mungesa e anëtarit Isuf Makolli, për shkak të takimit me kryetaren e Gjykatës. Meqë deri tash gjykatësi nuk është, nuk ka mundësi me bë zëvendësim të trupit gjykues në këtë fazë të procedurës…”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Selimaj.

Po ashtu gjykatësja i njoftoi të pranishmit se Gjykata ka pranuar një parashtresë nga pronari i kolegjit “Universum”, Suad Berisha, i cili në këtë proces gjyqësor është në cilësi të palës së dëmtuar, ai ka kërkuar nga Gjykata që t’i krijohej mundësia që t’i parashtroj pyetje të akuzuarve.

Pronari i kolegjit “Universum”, Suad Berisha si dhe pronari i kolegjit “ISPE”, Avni Mazreku kanë deklaruar se nuk kanë qenë të njoftuar nga Gjykata për dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve, prandaj kanë kërkuar që në këtë fazë të procedurës t’u krijohej mundësia që të mund t’i parashtrojnë pyetje të akuzuarve.

E në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, seanca është shtyrë për datën 23 nëntor.

“Trupi Gjykues nuk është në përbërje të plotë andaj në mungesë të anëtarit të tretë të trupit gjykues nuk ka kushte për mbajtje të seancës gjyqësore andaj seanca shtyhet për datën 23 nëntor”, deklaroi gjykatësja Selimaj.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Selimaj si dhe dy anëtaret e tjerë të trupit gjykues Vesel Ismjali dhe Isuf Makolli.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa, Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.