Mozaiku i (Pa)Kënaqësive

Të dhënat e këtij mozaiku tregojnë që në mbarë vendit, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe pasojat e tij dominojnë listën e problemeve me prioritet të lartë të perceptuara nga të anketuarit.

Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve besojnë që papunësia, mungesa e rritjes ekonomike, varfëria dhe standardi i ulët i jetesës janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen komunat e tyre.

Niveli mesatar i kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet publike ka pësuar rënie të lehtë nga viti 2012 në vitin 2015. Shumica e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet telefonike dhe postare, furnizimin me energji elektrike dhe menaxhimin e shkollave fillore dhe të mesme.

Në anën tjetër, funksionimi  dhe menaxhimi i qeverisjes lokale, prokurimi publik dhe tenderët, rekrutimi i personelit komunal dhe menaxhimi i fondeve komunale gëzojnë nivelin më të ulët të kënaqshmërisë.

Krahasuar me vitin 2012, niveli i kënaqshmërisë ka pësuar rënien më të madhe për rekrutimin e shërbyesve civilë, transportin publik dhe planifikimin rural e urban, ndërsa rritjet më të mëdha në nivelin e kënaqshmërisë janë vërejtur për furnizimin me energji elektrike, aktivitetet sportive dhe trotuaret.

Në përgjithësi, qytetarët kanë qasje relativisht të mirë në shërbime shëndetësore dhe barnatore në aspektin e afërsisë gjeografike, edhe pse qasja në spitale është më problematike. Derisa tri të katërtat e tyre janë shprehur se janë të kënaqur me shërbimet emergjente, më pak se aq janë shprehur se janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore në qendrat e mjekësisë familjare, ndërsa edhe më pak me shërbimet shëndetësore në spitale.

Kosovarët gëzojnë qasje relativisht të mirë në institucionet arsimore në aspektin e kohës që nevojitet për të arritur tek ato në këmbë apo me transport publik. Edhe pse ka pasur rënie në nivelin e kënaqshmërisë me menaxhimin e shkollave fillore dhe të mesme nga viti 2012 dhe 2015, kosovarët në përgjithësi janë të kënaqur me institucionet arsimore.

Kënaqshmëria me qasjen dhe cilësinë e arsimit në shkollat e mesme është pak më e ulët në krahasim me kopshtet/institucionet parashkollore dhe shkollat fillore.

Për sa i përket planifikimit urban dhe rural, mesatarja e niveleve të kënaqshmërisë me funksionimin e planifikimit urban dhe rural, implementimin e rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve të kontrollit dhe lëshimin e lejeve ndërtimore për vitin 2012 ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti 2012.

Një pjesë pak më e madhe e qytetarëve janë të kënaqur me miratimin e lejeve ndërtimore, apo me 40.9 për qind krahasuar me funksionimin e planifikimit urban dhe rural me 35.5 për qind dhe implementimin e rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve të kontrollit me 34.6 për qind.

Niveli mesatar i kënaqshmërisë me transportin publik ka rënë në mënyrë drastike nga viti 2012 në vitin 2015. Mirëpo, më shumë se gjysma e kosovarëve apo 55.9 për qind e tyre kanë raportuar se janë të kënaqur, apo shumë të kënaqur me transportin publik në komunën e tyre, të nxjerrë si mesatare nga niveli i kënaqshmërisë me përdorimin e transportit publik, shërbimet e transportit publik dhe kohën që nevojitet për të arritur në destinacion duke përdorur transportin publik.

Analiza e trendit të të dhënave tregon që niveli i kënaqshmërisë me furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë dhe me shërbimet e grumbullimit të mbeturinave të ngurta është rritur nga viti 2012 në vitin 2015, ndërsa ka rënë për ujërat e zeza dhe kanalizimin. Një përqindje dukshëm më e madhe e qytetarëve, apo mbi 70 për qind  janë të kënaqur apo shumë të kënaqur me furnizimin me energji elektrike dhe shërbimet telefonike dhe postare.

Qytetarët në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet e administratës publike. Më shumë se 80 për qind e tyre i shohin si efikase institucionet që lëshojnë certifikata të lindjes/martesës/vdekjes, patentë shoferë, letërnjoftime dhe pasaporta, ndërsa institucionet që lëshojnë licenca biznesi dhe leje ndërtimore shihen si efikase mbi 60 për qind.

Pak më shumë se gjysma e qytetarëve i konsiderojnë pushtetet e tyre lokale si të përgjegjshme ndaj nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të tyre.

Vetëm 4.1 për qind besojnë që pushteti i tyre lokal merr në konsideratë në tërësi nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të tij në proceset vendim-marrëse dhe më pak se 50 për qind besojnë që i merr në konsideratë deri në një shkallë nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të tij.

Ky mozaik paraqet pikëpamjet e 6,700 qytetarëve për shërbimet publike dhe autoritetet lokale në Kosovë dhe është raporti i pestë për këtë çështje.

http://kallxo.com/varferia-problem-kryesor-ne-kosove