Presidentja Osmani kujton komandant Drinin: U vra para shtëpisë pak kohë pasi që Kosova u bë e lirë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar ish- komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha, të njohur si Komandant Drini, në 24 vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një njoftimi në Facebook, e para e shtetit ka thënë se “Komandant Drini ishte luftëtari i UÇK-së, i cili i mbeti besnik idealit të lirisë dhe shtetit deri në frymën e fundit”.

“Liria ishte ëndrra e tij, e ai u vra para shtëpisë pak kohë pasi që Kosova u bë e lirë. Nuk e përjetoi gjatë lirinë, por e bëri atë të mundshme me shumë vajza e djem të UÇK-së, ndaj kujtimi dhe respekti për të dhe bashkëluftëtarët dëshmorë do të jetë i përhershëm”- ka shkruar Osmani.

Presidentja ka thënë më tej se Rexha ishte një luftëtar i paepur dhe i tillë do të mbetet në mendjet qytetarëve të Kosovës.

“Pas vetes la një trashëgimi të patriotit të dëshmuar dhe luftëtarit të paepur dhe i tillë do të mbetet në mendjet e secilit qytetar të Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për komandant Drinin!”- ka thënë presidentja Osmani.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha u vra në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000 në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren. Vrasja e tij ende nuk është zbardhur.