Shpërndarja e monedhave simbolike për ushtarët më të suksesshëm gjatë ushtrimit fushor 'Shqiponja 6', Foto: Kallxo.com

Monedha simbolike për ushtarët e suksesshëm gjatë ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’

Në ditën e gjashtë dhe të fundit të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, gjenerali amerikan Timothy Orr ka shpërndarë monedha simbolike për ushtarët dhe eprorët më të suksesshëm të FSK-së gjatë këtij ushtrimi.

Ky është episodi i gjashtë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq. Më pas, në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqe. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë. Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Në ditën e katërt, FSK ka dëshmuar aftësitë në ushtrimin për neutralizimin e minave dhe shpëtimin e një fëmije të mbytur në liqenin e Batllavës. Ndërsa në ditën e pestë është simuluar situata se si do të reagonte FSK në rast se do të kishte shpërthim të termocentralit ‘Kosova A’.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.