Ministrja Dhurata Hoxha - Foto: KALLXO.com

Ministrja Hoxha kërkon nga grupi i BE-së ta përshpejtojnë liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha mori pjesë në takimin e përbashkët me anëtarët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB), të cilët po qëndrojnë në Kosovë për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces.

Ministrja Hoxha ka theksuar se anëtarët e COWEB-it janë njoftuar lidhur me reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme me theks të veçantë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përkushtimin për vazhdimin e reformave nga Agjenda Europiane.

“Ne me përkushtim të plotë kemi kryer detyrat tona sa i takon liberalizimit të vizave duke vënë prioritet nacional edhe procesin integrues”, ka thënë ministrja, duke shtuar se pret përshpejtimin e këtij procesi, sepse sipas saj janë realizuar të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi dhe sivjet pret të realizohet lëvizja e lirë.

“Ministrja ka ofruar të dhëna për anëtarët e COWEB-it për përparimin e Kosovës në agjendën evropiane, duke vlerësuar se liberalizimi i vizave sjell ndryshim rrënjësor në të gjitha fushat me interes për Kosovën”, thuhet në komunikatën e MIE-së.

Ministrja Dhurata Hoxha një ditë më parë ka deklaruar për KALLXO.com se nuk pret që pas liberalizimit të vizave të ketë fluks të qytetarëve që dalin jashtë vendit, megjithëse ka shtuar se nëse ndodhë një gjë e tillë, të njëjtit do të kthehen prapë në Kosovë.

https://kallxo.com/institucionet-kosovare-perballe-ikjes-se-te-rinjve-pas-liberalizimit-te-vizave/

Kallxo.com