Ministria ofron punë dhe trajnime, ja ku mund të aplikoni

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Agjencia e Punësimit, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka hapur Programin e Subvencionimit në Pagë dhe Trajnim në Punë për vitin 2019, për 500 punëkërkues të regjistruar në Zyrat e Punësimit në komunat e Kosovës.

“Nëpërmjet programit të Subvencionimit në Pagë dhe Trajnimit në Punë  do të mbështeten mbi 500 punëkërkues të papunë, me fokus personat e riatdhesuar. Krijimi i mundësive për punësim për punëkërkuesit në Kosovë duke subvencionuar punëdhënësit të cilët janë të gatshëm t’i punësojnë ata në periudha afatgjata si dhe ofrimi i mundësisë së trajnimit për punëkërkuesit e papunësuar që kanë nivel të ulët arsimor dhe nuk kanë përvojë të mëparshme të punës janë objektivat e këtyre dy skemave”, thuhet në njoftimin e MPMPS-së.

Afati për aplikim hapet sot me 14 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 28 shkurt 2019. Formularët e aplikimit mund të shkarkohen në faqen e Ministrisë së Punës dhe Agjencisë së Punësimit, e më pas të dorëzohen në Zyrat e Punësimit në komunën përkatëse.