Logo, MPMS

MPMS më 2020 u ndau pensione të vdekurve, me vlerë mbi 100 mijë euro

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë pensione për persona të vdekur, pasi këta të fundit nuk ka i larguar nga listat e pagesave.

Kësisoj në këtë rast buxheti i Ministrisë është dëmtuar hiç më pak se me 108 mijë e 801 euro.

Kështu thuhet në raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MPMS për vitin 2020, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në rastin për ndarjen e pensioneve të paguara pas vdekjes së përfituesve, në raportin e ZKA-së thuhet se nga krahasimi i të dhënave/regjistrave ndërmjet MPMS dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil kanë gjetur se gjatë vitit 2020 janë realizuar gjithsej 840 pagesa, në vlerë totale 108 mijë e 801 euro pas vdekjes së përfituesve.

Arsye për këto gabime të Ministrisë thuhet të jetë pandemia COVID-19.

Burimi: ZKA

“Ndërsa, pagesat pas vdekjes së përfituesve edhe pse me tendencë të rënies së gabimit financiar nga viti i kaluar kanë ndodhur ngase lajmërimi i pensionistëve ishte ndërprerë nga muaji mars 2020 dhe vdekjet e përfituesve, për shkak të rrethanave të krijuara të pandemisë Covid 19, nuk ishin regjistruar me kohë në ARC. Për këto raste nuk ishte në dijeni Ministria”, vijon raporti.

Sipas ZKA-së, Ministria është pajtuar me këto gjetje të Auditorit.

KALLXO.com në vitin 2020 ka raportuar se në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë evidentuar parregullsi të përsëritura ndër vite, sipas raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për katër vitet e fundit, në këtë dikaster qeveritar.

Një prej sfidave më të theksuara sipas analizës së këtyre raporteve të auditimit, mbetet pagesa e pensioneve për personat e vdekur dhe përfitimet e pensioneve nga persona të punësuar.

Në Qeverinë Kurti 2 Ministria e Punës është e përfshirë në Ministrinë e Financave dhe Tranfereve, me emërtimin Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.