Vonesat për rivlerësim e lënë të moshuarën pa pension invalidor që nga shtatori - VIDEO

76 vjeçarja nga Prishtina, Nazlije Krasniqi- Osmani që nga muaji shtator i vitit të kaluar nuk e ka marrë pensionin invalidor prej 150 eurove.

E moshuara e cila e vuan nga problemet me shtyllën kurrizore,  pasojë e së cilës që nga viti 2005 nuk mund të ecë e as t`i kryej shërbime vetes për shkak të paralizës së njërës këmbë, po ankohet se ndalimi i pensionit po i shkakton vështirësi për të mbijetuar.

“Po qe tetë muaj po, nuk ma kanë jep pensionin. Plaku 80 vjeçar kujdeset për mua, edhe djali veç ky ma shumë. Po duhet pampersa, barna me ble. Njeri i sëmurë çka nuk po dojke”, tregon 76 vjeçarja.

“Me i pas pas po valla qito të mijat, bile pampersat e barnat i kisha ble me 150 euro. Ama tash nuk i kam hiç. Plaku po duhet, plaku me pare të veta me i ble”, thotë pensionerja.

“Qishtu mos të veprojnë se hyjnë në gjynah deri në fund e mbarë kurrë nuk iu shkon. Me ia ndal invalidëve, të verbërve, atyre që nuk bën me ia ndalë hiç pensionin, këta po ia ndalin. Po bash që jemi të paaftë me na ndihmu pak se me kanë e aftë nuk kisha lyp kurgjo. Një pikë ujë për veti nuk mundem me u qu me marr”, thotë Krasniqi- Osmani.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një përgjigje për KALLXO.com tha se Nazlije Osmani dhe 34 raste të ngjashme me të janë ndalur në rivlerësim dhe së shpejti do t’i ftojnë për t’i rivlerësuar.

“Besoj që së shpejti do të ftohen ngase jemi në proces të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me QKUK-në. Po ashtu iu përkujtoj që pas njohjes së drejtës nga komisioni mjekësor pagesa bëhet nga data e ndërprerjes”, shkruan në përgjigjet e Ministrisë.

Me Ligjin për statusin e personave paraplegjik dhe tetrapelgjik,  rregullohet statusi dhe të drejtat e personave, të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo personave të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes të ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme të cilët marrin kompensim mujor.