Foto: REL/Shutterstock

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale u dha ndihma sociale dhe pensione mbi 200 mijë euro personave të punësuar

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2020 ka ndarë ndihma sociale dhe pensione për persona të punësuar, në vlerë 254 mijë e 478 euro.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit në pasqyrat financiare vjetore të MPMS-së për vitin 2020.

“Nga krahasimi i të dhënave të MPMS-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, ZKA thekson se kanë vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale”, thuhet në raport.

Arsye për këtë gabim të Ministrisë thuhet të jetë pandemia COVID-19.

Burimi: ZKA

“Pagesat për përfituesit që janë të punësuar kanë ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme të krijuara nga rrethanat e pandemisë dhe për shkak të korrigjimeve të pagave nga bizneset në fund të vitit 2020 për muajt paraprak për të cilat Ministria nuk mund t’i kishte nën kontroll”, theksohet mes tjerash në raport.

KALLXO.com në vitin 2020 ka raportuar se në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë evidentuar parregullsi të përsëritura ndër vite, sipas raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), për katër vitet e fundit, në këtë dikaster qeveritar.

Një prej sfidave më të theksuara sipas analizës së këtyre raporteve të auditimit, mbetet pagesa e pensioneve për personat e vdekur dhe përfitimet e pensioneve nga persona të punësuar.

Në Qeverinë Kurti 2 Ministria e Punës është e përfshirë në Ministrinë e Financave dhe Tranfereve, me emërtimin Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Punësimet e parregullta në Ministrinë e Punës