Qeveria ndan 203 mijë euro për organizatat e dala nga lufta

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka ndarë 203 mijë euro për Shoqatën e Familjarëve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe Lidhjes së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës së Kosovës.

Ndarja e mjeteve është bërë me propozim të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Mjetet ndahen si vijon:

17 mijë euro transferohen në Shoqatën e Familjes se Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së;

34 mijë euro transferohen në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së;

15 mijë euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së;

125 mijë euro transferohen në Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, për mbulimin e shpenzimeve për proteza të Invalidëve te Luftës së UÇK-së;

12 mijë euro transferohen në Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës;

Në arsyetimin e ndarjes së këtyre mjeteve thuhet se gjendja emergjente e shkaktuar nga COVID-19 dhe gjendja e rëndë për funksionimin e rregullt të organizatave të lartpërmendura dhe me qëllim të lehtësimit në kryerjen e obligimeve të tyre janë aprovuar kërkesat e këtyre organizatave dhe do të mbulohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike.

Sot, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 48-të, ku janë shqyrtuar 22 pika të rendit të ditës.