Në vitin 2021 nuk u shqyrtuan raportet e auditimit të brendshëm të ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht komitetit i auditimi i tij, nuk i ka shqyrtuar raportet e ish-Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila tash është në kuadër të saj, pas fuzionimit të dy ministrive, ndërsa ish-MPMS-ja komitetin e auditimit e kishte jashtë funksionit në vitin e kaluar, kjo për shkak të shpërbërjes së saj.

“Komiteti i auditimit në ish MPMS nuk kishte funksionuar për vitin 2021, për shkak të shpërbërjes së tij, si rezultat i dorëheqjes së kryesuesit dhe largimit të njërit nga anëtarët. Pas fuzionimit të dy ministrive, Komiteti i Auditimit në MFPT ka vazhduar të mbajë takimet e komitetit, por në këto takime nuk ishin shqyrtuar raportet e ish MPMS-së”, thuhet në gjetjen e raportit.

Shkaku i mostrajtimit të raporteve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm (ish MPMS) nga ana e Komiteti i Auditimit në MFPT ishte procesi i fuzionimit të dy ministrive dhe sfidat në procesin e ristrukturimit të brendshëm.

Sa i përket ndikimit auditorit tregon se mosfunksionimi i Komitetit të Auditimit rezulton me mungesë të monitorimit të punës të NjAB për të ofruar mbështetje menaxhmentit në vendimmarrje dhe të sigurojë që rekomandimet e auditimit janë pranuar dhe zbatuar,

Ministrit ju rekomandua të sigurohet që Komiteti i Auditimit të funksionojë në plotni.

“Ministri duhet të ndërmerr masa dhe të siguroj se Komiteti i Auditimit funksionon në mënyrë të plotë duke ofruar mbështetje dhe shqyrtim të të gjitha raporteve të realizuara nga departamentet e NjAB në kuadër të Ministrisë”, rekomandon raporti.

Auditori gjetjen e bazon në UA-MF 01/2019 për themelimin dhe funksionimin e Komitetit të Auditimit në sektorin publik, neni 4, ku thuhet se çdo subjekt i sektorit publik që ka të themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm në nivel të organit kryesor sipas legjislacionit në fuqi, themelon Komitetin e Auditimit.

Nga menaxhmenti i ministrisë janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 26 maj 2022 nga ministri Hekuran Murati, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për vitin 2021”.