Foto: MKRS

Ministri i Kulturës pret fituesit e Kampionatit Europian U18 në basketboll

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e Kosovës në basketboll (U18, djemtë), pas suksesit të arritur në FIBA U18 të Kampionatit Europian, Divizioni C, që u mbajt në Prishtinë, prej 22 deri më 29 korrik.

“Ministri i ka uruar basketbollistët dhe drejtuesit e klubit për suksesin e arritur. Ai vlerësoi se me angazhim dhe vullnet mund të arrihet deri te suksesi siç edhe kanë treguar basketbollistët në rend të parë, por edhe stafi mbështetës i tyre, trajnerët e të gjithë personat tjerë të angazhuar. Gjithashtu, ministri i ka përgëzuar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës edhe për organizimin e kampionatit në fjalë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ministri Gashi ka kërkuar nga basketbollistët dhe përfaqësuesit e klubit që në përfaqësimet ndërkombëtare të japin maksimumin dhe të prezantojnë Kosovën sa më me dinjitet. Ai u premtoi mbështetjen e plotë të MKRS-së edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, basketbollistët dhe drejtuesit e Federatës kanë premtuar se në garat ndërkombëtare që do të marrin pjesë do të përfaqësojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme, jo vetëm klubin dhe qytetin e tyre por edhe Kosovën.

https://kallxo.com/historike-kosova-fiton-divizionin-c-te-kampionatit-europian-u18/