Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë zotohet në ShBA për efikasitet në sundimin e ligjit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e ShBA-së ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit.

Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Tahiri ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sektorit të sundimit të ligjit, ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Ai ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, për ndihmën që Departamenti i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit.