Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: Kallxo.com

Ministri i Arsimit dënon abuzimin e nxënëses në Drenas

Ministri i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi, ka reaguar pas abuzimit të nxënëses 16 vjeçare, fillimisht nga arsimtari i saj e më pas edhe nga polici hetues.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka thënë se në emër të Ministrisë dënon ashpër abuzimin e saj.

Më tutje, Bytyqi ka shkruar se ky akt ka ndodhur pikërisht nga ata që janë të thirrur për mbrojtje dhe siguri ndaj të gjithë fëmijëve.

“Si ministër i Arsimit dhe në emër të MAShT, dënoj ashpër rastin e abuzimit të nxënëses 16 vjeçare nga mësimdhënësi i saj në komunën e Drenasit, ka shkruar Bytyqi.

“Ngjarje të tilla janë të shëmtuara dhe të papranueshme në shoqëritë e zhvilluara, ku për të miturit garantohet siguri e mirëqenie me konventa dhe ligje”, shtoi ai.

“Prandaj, shpreh shqetësim dhe indinjatë në lidhje me këtë histori të dhembshme të një nxënëseje të mitur, aq më tepër kur abuzimi me të ndodhë pikërisht nga ata që janë të thirrur të kujdesen për sigurinë e saj dhe të gjithë fëmijëve të Kosovës. Gjithashtu, në emër të MAShT i jap përkrahje Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas për vendimin e marrë për suspendimin e mësimdhënësit dhe iu bëj thirrje organeve të drejtësisë që të merren seriozisht me këtë rast”, ka shkruar Bytyqi.