Mesazhi i Tretë i Delawie: Shfuqizimi i Speciales, Thikë Pas Shpine

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka dalë me një mesazh të tretë brenda pak orëve pas kërkesës së 43 deputetëve për shfuqizim të Gjykatës Speciale, e cila është duke u shqyrtuar nga kryesia e Kuvendit.

Delawie nuk ka mundur t’i ndalë emocionet duke e lexuar një deklaratë në të cilën bën thirrje që kërkesa të mos aprovohet.

Në të kundërtën, ai paralajmëron pasoja për Kosovën.

“Nëse do të ketë sukses kjo përpjekje, do të ketë efekt shumë negativ për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Europës, do të konsiderohej nga SHBA-të si thikë pas shpine, Kosova do ta zgjidhte izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet ta them se e urrejmë që ta kthejmë orën prapa për Kosovën, në progresin që e kemi arritur deri tani”, tha Delawie nga holli i ndërtesës së Kuvendit.

“U bëj thirrje liderëve të Kosovës që të ndihmojnë në zmbrapsjen e kësaj përpjekjeje. Secili duhet të mendojë për interesin e shtetit dhe të 2 milionë kosovarëve, në vend të interesave të tyre personale”, shtoi ai.

“Mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës ka qenë e ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret drejt me individët që kanë kryer krime lufte. Largimi nga ky zotim do të ketë implikime të jashtëzakonshme negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Delawie.