Aparate të lojërave të fatit | Foto: KALLXO.com

Mbi 360 Mijë Euro Gjoba për Lojëra të Fatit

Administrata Tatimore e Kosovës në bazë të informatave të pranuara dhe në bashkëpunim me Policinë e Krimeve Ekonomike dhe Doganën e Kosovës ka realizuar dje një kontroll në lokalet që ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit në komunën e Prishtinës dhe të Podujevës.

Gjatë këtij aktiviteti të kontrollit, inspektorët tatimorë kanë hasur në subjekte që ushtrojnë aktivitete në kundërshtim me Ligjin për Lojërat e Fatit.

“Si rezultat i kësaj, gjatë kontrollit në këto subjekte, janë konstatuar shkelje ligjore si zhvillimi i veprimtarisë së basteve sportive të ndaluara sipas Ligjit për Lojërat e Fatit, është bërë identifikimi i tiketave të cilat nuk kanë poseduar identifikim të kompanisë – organizuesit të lojës së fatit dhe si dhe janë gjetur në përdorim aparate të basteve sportive të palicencuara”, njofton ATK përmes një komunikate.

Sipas njoftimit, sekuestrimi i aparateve të basteve sportive të palicencuara, gjobitja e subjekteve për parregullsitë e konstatuara, si dhe ndëshkime tjera administrative të parapara me Ligj janë masat e ndërmarra nga ky aktivitet.

Po ashtu, ATK njofton se për 9 muaj janë shqiptuar mbi 360 mijë euro gjoba dhe janë mbyllur 90 lokacione.

“Në nëntëmujorin e këtij viti, Drejtoria e Lojërave të Fatit ka zhvilluar 711 vizita, nga të cilat janë mbyllur 90 lokacione. Gjoba e lëshuar për këtë periudhë tek subjektet të cilat kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin janë në vlerë prej 360,250 euro”, njofton Administrata Tatimore.