Arkiv - Pal Lekaj - Lutfi Haziri

Mbi 13 Milionë Euro Për Rrugët në Gjilan

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka nënshkruar marrëveshjen me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri për ndërtim të rrugëve në Gjilan në vlerë mbi 13 milion euro.

Zëvendës Ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për projektet që qeveria e Kosovës do ta ndihmoj Gjilanin.

“Sot me Ministrin Pal Lekaj kemi nënshkruar memorandum për mbështetje financiare për komunën e Gjilanit me kryetarin Lutfi Haziri për disa projekte të rëndësishme për këtë regjion dhe që lehtësojnë jetën e qytetarëve, si dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik në këtë pjesë të Kosovës”, ka shkruar Kadriu.

Sipas tij projektet që qeveria e Kosovës i ka për këtë komunë janë për fshatin Përlepnicë 520 mijë euro, për fshatin Cërrnicë 450 mijë euro, rrugicat tek “Rruga e Prishtinës” 200 mijë euro dhe rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë euro.

“Për Verbicë të Zhegocit Ministria e Infrastrukturës do të ndaj 1 milion e 300 mijë Euro, si dhe për zgjerimin e rrugëve në qytet do të ndahen 1 milion e 600 mijë Euro. Do të bëhet edhe projektimi dhe realizimi i Unazës së Jashtme, autostrada me vlerë prej 126 milion Euro. Nga BERZH-i janë ndarë 8 milion e 500 mijë Euro”, ka shkruar Kadriu.

Në anën tjetër edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shkruar në Facebook, se është tepër i lumtur që nënshkruan marrëveshjen me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, për ndërtim të rrugëve në Gjilani.

“Me këtë marrëveshje, do të ndërtohet rruga në Verbicë të Zhegocit 1.3 milionë, në Përlepnicë 520 mijë, Cernicë 450 mijë, rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë, rrugicat tek “Rruga e Prishtinës” 200 mijë dhe vazhdimi i projekteve të vitit 2017 në vlerë prej 2.6 milionë”, tha Haziri.

Haziri ka falënderuar ministrin Lekaj dhe stafin e Ministrisë së Infrastrukturës për mbështetje.