MAShT: Po zbatojmë vendimin e Këshillit Mbikqyrës për konkursin e brendshëm

Një konkurs i brendshëm për udhëheqësit e pesë departamenteve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka mbetur i ngrirë për shkak të vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Pesë drejtorë të departamenteve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ishin larguar nga pozitat e tyre në këtë ministri, kanë fituar të drejtën e rishqyrtimit të këtij vendimi pas ankesës që e kishin bërë në KPMShCK.

Tani për tani, sipas Ministrisë së Arsimit janë duke u zbatuar rekomandimet e vendimit të këtij institucioni dhe më pas do të vazhdohet me konkurs.

Valmir Gashi, zëdhënës në këtë ministri tha se procesi i zbatimit të rekomandimeve është në finalizim.

“Në lidhje me procesin kemi pasur më herët një ngrirje të procesit për shkak të Këshillit të Pavarur që i ka dërguar disa rekomandime MAShT-it. Tash ky proces thuajse është në finalizim dhe presim shumë shpejt të vazhdojë procesi. Këshilli ka kërkuar t’i përmirësojë disa hapa. Tash pritet të vazhdojë procesi. Sa po të plotësohen rekomandimet e Këshilit pritet të vazhdojë procesi me konkurse”, tha Gashi

Vendimi i Këshillit të Pavarur i datës 21 dhjetor kishte kërkuar shfuqëzimin e Komisionit për Zgjidhjen e Konstesteve dhe Ankesave  të MAShT-it.

Po ashtu ishte kërkuar që të anulohet  konkursi i brendshëm i shpallur më 30 tetor për drejtorë të 5 departamenteve.

MAShT-it i janë dhënë 15 ditë afat për zbatimin e këtij vendimi.

Historiku i problemit

Në bazë të rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MAShT kishin qenë të parapara tetë departamente.

Ndërsa me hyrjen në fuqi të Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MAShT, janë paraparë vetëm pesë departamente.

https://kallxo.com/masht-nderron-30-drejtore-e-udheheqes-ne-ministri/

Sipas arsyetimit të vendimit të KPMSHCK-së, Udhëheqja e Burimeve Njerëzore të MAShT kishte njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm se ‘nuk kemi të drejtë të shpallim vendet të cilat janë krijuar në bazë të rregullores… por duhet të shkojmë në ricaktimin e Nënpunësve Civil të cilëve iu është shuar vendi i punës, bazuar në rregulloren për Nënpunësit Civilë Tepricë”,

Megjithë këtë shkresë, MAShT kishte hapur konkursin e brendshëm.

Lidhur vendimin për largim nga puna, drejtorët e këtyre departamenteve kanë protestuar për t’i shprehur pakënaqësitë për degradimin nga pozitat që mbanin.

Por ishte, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë që reagoi menjëherë pas kësaj duke thënë se e mirëpret vendimin e këtij organizimit të ri të MASHT-it.

“BE mirëpret miratimin e organizimit të ri të MASHT-it dhe përgëzon ministrin, Shyqyri Bytyqi për vendimin e tij të shpejtë për ta zbatuar atë. Shpresojmë që reforma të vazhdojë dhe të sjellë rezultate pozitive duke parandaluar vonesa të mëtejshme në përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar cilësinë e arsimit”, është thënë në shkrimin e tyre në profilin zyrtar në Twitter.

Në anën tjetër, largimi i këtyre punëtorëve ishte parë si hap tejet pozitiv nga ministri Shyqyri Bytyqi.

Bytyqi tha se në procesin e riformatizimit të kësaj ministrie duhet të jepet shembull për institucionet tjera pasi sipas tij kanë parë pozita menaxhuese të panevojshme.

“Në kuadër të gjërave pozitive duhet ta konsiderojmë edhe reformën në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Administratat në Kosovë në përgjithësi kanë nevojë për një reformë. Neve na ka ra hise të jemi të parët, gjithmonë të parët kanë probleme më të mëdha mirëpo kanë edhe përgjegjësi më të mëdha, varësisht si të lëvizim ne do të shërbejë si shembull për institucionet tjera”, tha Bytyqi.

https://kallxo.com/ministri-i-arsimit-tregon-per-hallkat-e-dobeta-te-ministrise/