Marsh për 8 Mars

Një grup i grave kanë marshuar sot nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisa me pankarta dhe brohorima që përveç tjerash kërkonin barazi gjinore dhe ndalimin e dhunës ndaj grave.

Igballe Rogova,drejtoreshë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës ka përshkruar këtë marsh si një thirrje ndaj Qeverisë për respektimin e të drejtave të grave duke vënë theks në deklaratat e kryeministrit, Isa Mustafa.

“Marshojmë s’festojmë sepse kemi një kryeministër i cili dje na tha se kemi dalë me kullotë e sot na quajti simbole,” tha Rogova.

8_Marsi_006

Më 21 shkurt Mustafa në një postim të tij në Facebook, shkroi mes tjerash edhe “janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi…’, ndërsa më pas e korrigjoi këtë postim.

http://kallxo.com/kryeministri-korrigjon-veten/

Sot pasi vizitoi Monumentin “Heroinat” Mustafa tha se gratë “si trashëgimi të tyre kanë lënë ardhmërinë për gjeneratat e reja në Kosovë, kanë lënë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, një hapësirë në të cilën njerëzit e Kosovës mund të jetojnë shumë më mirë”.

Rogova gjithashtu paraqiti si kërkesë përfaqësimin e barabartë të grave nëpër institucione.

“ I themi Qeverisë mjaft më me arsyetime, duam ta shohim duke u zbatuar ligji 50 për qind gra dhe 50 për qind burra,” bëri thirrje Rogova

Në këtë marsh përveç grave kishte edhe protestues meshkuj.

Ramadan Sokoli tha se ka dalë për të protestuar ndaj trajtimit që u bëhet grave dhe për të bërë thirrje për respektimin e të drejtave të tyre.

“Arsyeja pse kam dalë këtu edhe pse jam djalë është se nuk dua t’i shoh nënën time dhe motrat e mia duke vuajtur në një shtet të poshtër ku nuk respektohen të drejtat e grave dhe gratë shihen si simbole dhe jo si qenie njerëzore,” tha Sokoli.

Ndërkaq ,Vesa Kelmendi mendon se vetë dalja në protestë në vend të festës nënkupton emancipim të grave.

“E mira e këtij marshi është që për festën e gruas sot nuk po festohet, por po protestohet dhe mendoj se kjo është forma më e mirë e emancipimit,” tha Kelmendi.

8_Marsi_005 8_Marsi_001

[interaction id=”56dece244ab46a01039fe73e”]