KFOR

Mali i Zi Synon t’i Bashkohet KFOR-it

Podgorica kërkon miratimin për t’u kontribuuar forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe misionit të KFOR-it në Kosovë, pavarësisht kundërshtimeve të grupeve etnike serbe, thonë zyrtarët e lartë.

Mali i Zi është duke pritur miratimin e NATO-s për të kontribuar me trupa në forcat e KFOR-it në Kosovë, pasi që “e shprehu qëllimin” për t’u bashkuar, ka mësuar BIRN-i.

Disa burime nga ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të Malit të Zi kanë konfirmuar se qeveria paraqiti një kërkesë NATO-s për të dërguar ushtarë në Kosovë para se Podgorica të marrë ftesën e saj për t’u bashkuar me aleancën javën e kaluar.

“Vendimi i aleancës ushtarake perëndimore pritet së shpejti,” tha një zyrtar i lartë nga Ministria e Jashtme për BIRN-in.

Në përputhje me kapacitetet e 2000 forcave të armatosura, Mali i Zi ka në plan të vendosë disa ushtarë, tha zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes.

Megjithëse Ushtria e Malit të Zi ka marrë pjesë në disa misione ndërkombëtare, përfshirë operacionet e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë të udhëhequra nga NATO në Afganistan, ajo kurrë nuk ka vendosur njësi ushtarake në Kosovë për shkak të situatës së brendshme politike të komplikuar.

Një pjesë e madhe e malazezëve, rreth një e treta e popullsisë, deklarohen si serbë dhe ende kundërshtojnë me forcë pavarësinë e Kosovës, e cila ishte e njohur nga Podgorica në vitin 2008.

Serbët në Mal të Zi thonë se Kosova është provincë e Serbisë. Kosova dhe Mali i Zi vendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 2010, por Podgorica ende ka vetëm një të ngarkuar me punë në Prishtinë dhe jo një ambasador.

NATO-ja ka udhëhequr operacionet paqeruajtëse në Kosovë që nga qershori i vitit 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në rajon.

KFOR-i u krijua pas fushatës 78-ditore të NATO-s nga sulmet ajrore kundër regjimit të ish-liderit serb Sllobodan Millosheviq që kishin për qëllim t’i japin fund dhunës në Kosovë.

Objektivat fillestare të KFOR-it ishin pengimet e ripërtëritjes së armiqësive, dhe gjithashtu krijimi i një ambienti të sigurt dhe sigurimi i sigurisë publike dhe i rendit e ligjit, demilitarizimi i UÇK-së, përkrahja e iniciativave ndërkombëtare me karakter humanitar dhe koordinimi me praninë e shoqërisë civile ndërkombëtare.

Deri më tani, Kroacia është republika e vetme ish-jugosllave që ka kontribuar me ushtarë në forcat e KFOR-it. Zagrebi vendosi njësitin  e parë në vitin 2009.