Pandeli Majko | Foto: Facebook

Majko: Nuk do të Përtypet në Heshtje Pezullimi i Speciales

Pandeli Majko, ministri për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë ka reaguar pas nismës së një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të shfuqizuar ligjin me të cilin u themelua Gjykata Shqiptare.

Majko në lidhje me këtë iniciativë shkroi në facebook se politika në Prishtinë po shkon drejt absurdit.

“Në Prishtinë po luhet një politikë e cila po shkon drejt absurdit. Kërkesa për anullimin e Gjykatës Speciale po prodhon paqartësi dhe frikë për të ardhmen”, shkroi Majko.

Ai konstatoi se shfuqizimi i mundshëm i ligjit për specialen nuk do të përtypet në heshtja nga ShBA dhe Britania.

“Kush mendon se SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian do ta përtypin në heshtje një vendim ‘sovran’ për pezullimin e Gjykatës Speciale, gabohet”, shkroi Majko.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit me një deklaratë kërkoi që të mos shfuqizohet ligji për specialen.

http://kallxo.com/shba-kerkon-te-mos-zhbehet-specialja/

Majko deklaroi se sot nuk mund të diskutohet për atë që duhej diskutuar dje.

“Pyetja është, se pse ajo që refuzohet sot, nuk u diskutua dje kur kishte kohën?! Kjo dhe pyetje të tjera kanë kuptim më shumë se sa dhënia e përgjigjeve”, shkroi Majko.

Ministri që ka marrë mandat të kujdeset për shqiotarët jashtë Shqipërisë tregoi se interesat shtetërore duhet të vendosen mbi ato personale.

“Shteti i Kosovës nuk është një çështje personale. E kundërta është e vërtetë. E drejta shtetërore nuk diskuton asnjë fat personal. Vendosja e interesit shtetëror mbi fatet e personave, dallon burrat e shtetit nga njerzit e vegjël”, shkroi Majko.

Për Majkon paqja e Kosovës kalon nëpër harkun e Gjykatës Speciale që sipas tij nuk është hark triumfi.

“Kosova fitoi Luftën. Tani duhet të fitojë paqen… me veten. Paqja e Kosovës kalon nga harku i Gjykatës Speciale. Harku i saj nuk ka triumf. Ai do të masë karaktere njerzish më shumë sesa drejtësinë”, përfundoi Majko.