Foto: Facebook

LVV: Qeveria Nuk Ka Legjitimitet t’i Vazhdojë Negociatat

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar rreth “mungesës së transparencës” lidhur me bisedimet e fundit të zhvilluara në Bruksel.

“Kështu ka qenë me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tash, nga Plani i Ahtisaarit deri te Marrëveshja për “Zajednicën”. Nuk ka pasur transparencë në fillim, s’ka pasur as llogaridhënie pastaj”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Më tej, partia kryesore opozitare thekson se kryeministri Isa Mustafa pas Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave nuk ka asnjë legjitimitet për të biseduar apo lidhur marrëveshje në emër të Kosovës.

“Ia bëjmë me dije Qeverisë së Rashkës se asnjë marrëveshje që legalizon dokumentet e lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë nuk do të pranohet nga qytetarët e vendit, se nuk mund të ketë kurrfarë vizitash “korrekte” të zyrtarëve nga Serbia, përderisa Serbia si shtet është shovinist ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.