Lladrovci: Drenasi Nuk do të Qeveriset si Malisheva

Para kryetarit të partisë së tij, Kadri Veseli dhe shumë mysafirëve nga Prishtina, Lladrovci dha një premtim.

“Drenasi asnjëherë nuk do të qeveriset sikur Malisheva”, tha Ramiz Lladrovci.

Malisheva, komunë fqinje e Drenasit, është komuna e vetme në Kosovë që qeveriset nga një kryetar komune që vjen nga NISMA.

Në tubimin e mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Drenas, Lladrovci falënderoi votuesit që më 4 dhjetor “e kanë dëshmuar edhe një herë lidhjen mes PDK-së dhe Drenasit”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 4 dhjetor, Lladrovci nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetar i Drenasit, meqë fitoi diç më shuëm se 45 përqind të votave.

Por sot, Lladrovci tha se me qeverisjen e tij, në Drenas do të ketë “arsimim më të mirë, 70 milionë euro investime kapitale, shëndetësi dhe bujqësi e kulturë”.

Ndërsa kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i ardhur për të bërë fushatë për balotazh në një komunë që deri këto zgjedhje ka qenë bastion i partisë së tij, tha se PDK e ka marrë mesazhin e 4 dhjetorit.

“Më 4 dhjetor e kemi marrë mesazhin nga qytetarët e Drenasit që duhet të bëjmë avancime dhe të punojmë më shumë si në fushën e punësimit, edukimit e shëndetësisë”, tha Veseli.

Duke i ftuar votuesit të votojnë për Ramiz Lladrovcin, Veseli ka kërkuar nga votuesit që masovikisht të dalin në zgjedhje të dielën për shkak se “Drenasi do të jetë shembull i qeverisjes për gjithë Kosovës”.