Deputetët e VV-së në gjykatë | Foto: KALLXO.com
Lirohen Deputetët e Vetëvendosjes
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të arrestuar të mërkurën janë liruar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ata ishin arrestuar ditën kur Kuvendi e votoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin në Zi, më 21 mars.
Lirimi i tyre është bërë pas marrjes në pyetje gjatë seancës paraprake.
Gjykata konfirmoi se e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e deputetëve Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Arbërie Nagavci, Liburn Aliu e Valon Ramadani.
Gjykata tha se ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk ka qenë e nevojshme caktimi i masës së paraburgimit duke qenë se përveç kushtit të përgjithshëm se ekziston dyshimi i bazuar se tani të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat është kërkuar caktimi i masës se paraburgimit, nuk përmbushen asnjëra nga kushtet konkrete qoftë veç e veç qoftë të gjitha së bashku për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.
“Kjo për faktin se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale pasi që të njëjtit i kanë premtuar Gjykatës se do të përgjigjen në të gjitha ftesat që do t’ju dërgohen nga kjo Gjykatë dhe po ashtu nuk ekziston as rreziku i përsëritjes se këtyre veprimeve nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë çështje penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.