Prek fundin gjykimi ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës

Gjykimi ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i akuzuar për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, ka përfunduar të premten më 23.02.2024 në Gjykatën Themelore të Prishtinnës.

Në seancën e sotme u dhanë fjalët përfundimtare lidhur me gjykimin e nisur me aktakuzën e ngritur shtatë vite më parë, konkretisht në vitin 2017.

Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori Besart Mustafa, ka kërkuar që Konjufca të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Nga provat personale dhe provave materiale të administruara në shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri Glauk Konjufca e ka kryer veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”- tha prokurori Mustafa.

Ndërsa në rastin e matjes së dënimit i ka propozuar Gjykatës që si rrethanë rënduese të marrë parasysh shkallën e lartë të dashjes, si rrethanë për lehtësimin e dënimit bashkëpunimin në fazën e hetimeve dhe sjelljen e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale.

Sa i përket mbrojtjes, avokatja Arbnora Zeqiri ka kërkuar nga Gjykata që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuzat.

“Duke u bazuar në rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor dhe të gjitha ato çka i kemi dëgjuar dhe provat e administuara është vërtetuar se Glauk Konjufca nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”- tha avokatja Arbnora Zeqiri.

Ajo gjithashtu shtoi se ajo çka ka munguar nga Prokuroria është një ekspertizë sa i përket bombolës së gjetur në vendin e ngjarjes.

“Kjo prokurori ka dështuar të vërtetojë faktin se çfarë mjeti ka qenë dhe çfarë pasoja ka shkaktuar ky mjet i cili është gjetur në vendin e ngjarjes”.

“…e cila do të përcaktonte se çfarë mjeti ka qenë, a ka qenë bombolë e gazit lotsjellës apo jo, pasi që tymi mund të ketë qenë tym artificial apo dekorativ që mund të përdoret në ahenge”- shtoi avokatja Zeqiri.

I akuzuari Glauk Konjufca nuk kishte asgjë për të shtuar dhe e mbështeti fjalën e avokates së tij.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën e Prishtinës nga gjyqtarja Edita Çanta.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë gjykim do të bëhet më datë 26.02.2024.

Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Në aktakuzë përshkruhet se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.

Lidhur me këtë vepër penale, Konjufca nuk do të ndiqet penalisht e as nuk mund të dënohet pasi që vepra penale e pengimit të personit zyrtar i është vjetërsuar.