Akuza për hedhje të gazit lotsjellës, Konjufca mbrohet në heshtje para gjykatës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka zgjedhur të mbrohet në heshtje para Gjykatës së Prishtinës gjatë dhënies së mbrojtjes së tij nën akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës.

“Deklaratën kryesore e kam dhënë në fazat e mëhershme të këtij procesi. Asaj i përmbahem, kështu që po e zgjedh opsionin e mbrojtjes në heshtje, të cilën ma mundëson edhe ligji.” – tha Konjufca para gjykatës.

Në seancën e sotme më 21.02.2024 për këtë rast ka dëshmuar edhe Pal Lekaj, i cili ka thënë para gjykatës se nuk mban mend nëse mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e datës 10.08.2016 të jetë ndërprerë.

Ai madje deklaroi se nuk mban mend nëse në atë mbledhje ka marrë pjesë tashmë i akuzuari Glauk Kojufca.

Para fillimit të dëshmisë së Lekajt, kryeparlamentari Konjufca i’u drejtua të Lekajt me fjalët “Nashta na kallxon bre qysh m’i kry qeto procese, se unë amater s’po di.”

Pal Lekaj ishte gjetur fajtor dhe dënuar nga po e njëjta gjykatë më 31.01.2024 me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike për aferën e “53 milionshit”.

Në gjykimin ndaj Konjufcës janë dëgjuar si dëshmitarë edhe ish-deputetwt, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Ismet Beqiri, Adem Grabovci e Sllobodan Petroviq.

Hamiti si dëshmitar i propozuar nga ana e Prokurorisë kishte thënë se përfaqësuesit e Vetëvendosjes ishin ata që kishin hedhur gazin lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht të vitit 2016.

Hamiti kishte përmendur Aida Dërgutin dhe Glauk Konjufcën si përfaqësues të Vetëvendosjes që kanë hedhur gazin lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë.

“Këta e kanë hedhur tinëz, e kanë hedhë nën tavolinë, unë s’i kam fotografuar…E ka hedhë njani prej tyre” – kishte thënë mes tjerash ish-deputeti i LDK-së para gjykatës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personave në kryerjen e detyrës zyrtare, tash e tutje do të gjykohet vetëm për veprën e parë penale {përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm}.

Pasi që për veprën e dytë penale {pengim i personave zyrtar në kryerje e punëve zyrtare}, rasti është vjetërsuar, duke marrë për bazë që vepra penale siç përshkruhet në aktakuzë është kryer më 10 gusht të vitit 2016.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se në seancën e kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.

Gjyqtarja e rastit është Edita Çanta, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Besart Mustafa.