Sabri Hamiti thotë para gjykatës se gazin lotsjellës në Kuvend e kanë hedhur tinëz përfaqësuesit e LVV-së
Në Gjykatën e Prishtinës sot po mbahet seanca e gjykimit ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 10 gusht 2016.
Ish-deputeti Sabri Hamiti është ftuar nga Prokuroria për të dëshmuar lidhur me rastin.
Hamiti para gjykatës tha se në ditën kritike gazin lotsjellës e kishin hedhur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe atë Glauk Konjufca dhe Aida Derguti.
“Dy përfaqësuesit e kanë pas, Aida dhe Glauku”… “Këta e kanë hedhë tinëz, e kanë hedhë nën tavolinë, unë nuk i kam fotografu.” – tha Hamiti duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit, Besart Mustafa.
I njëjti shtoi se nuk ka shpjegim se si është hedhur gazi, por se është hedhur nën tavolinë.
Ndërkaq kur u pyet nga prokurori se a e ka parë të pandehurin duke hedhur gaz derisa nuk ishte përfunduar ende mbledhje, dëshmitari tha se nuk shihet dora saktë.
“Nuk kom shpjegim, gaz është hedhur, qysh, nuk shihet dora saktë, se çka gjuan nën tavolinë, as ti s’mundesh me e pa, është hedhur nën tavolinë “ – tha mes tjerash Hamiti..
Sabri Hamiti në atë kohë mbante pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në gjykimin e sotëm pritet të dëshmojë edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Rasti ndaj Konjufcës është duke u gjykuar në departamentin e përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga Gjyqtarja, Edita Çanta, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Besart Mustafa.
Sipas aktakuzës së tre shkurtit të vitit 2017, Konjufca akuzohet për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë.
Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare meqë siç përshkruhet në aktakuzë deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.