Gabimet në aktakuzën ndaj deputetëve për gazin lotsjellës, suspendohet Prokurorja

Më 2 maj 2019, KALLXO.com raportoi për mënyrën se si prokurorja Ferdane Sylejmani i kishte ngatërruar provat në një çështje penale të cilën kishte qenë duke e ndjekur.

Më pas Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 167 morri vendimin për suspendim nga detyra me pagesë të një prokuroreje, ngaqë e njëjta dyshohet për shkelje të detyrës zyrtare.

Lidhur me këtë vendim të KPK-së, KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Prishtinës nga të cilët ka kërkuar të dijë se për cilën prokurore bëhet fjalë.

Për KALLXO.com, Zëvendës-Kryeprokurori Ibrahim Berisha ka deklaruar se ndonëse ende nuk kanë pranuar një vendim zyrtar nga KPK, sipas tij 99% bëhet fjalë për prokuroren Ferdane Sylejmani.

Çështja në fjalë ka të bëjë me akuzat për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ku ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bali Muharremaj dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi akuzoheshin për përdorim të mjetit të rrezikshëm nën pretendimin se gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës kanë hedhur gaz lotsjellës.

Por ndonëse në seancën e shqyrtimit fillestar, Bali Muharremaj e kishte pranuar fajësinë, ai ka ‘shpëtuar’ nga ndjekja penale për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend pasi që prokurorja Ferdane Sylejmani i ka ngatërruar provat, e njëjta nuk ka qenë në gjendje që para Gjykatës të prezantojë prova me të cilat do ta arsyetonte aktakuzën.

Pasi që shqyrtimi gjyqësor kishte vazhduar me administrimin e provave, vetëm pas shikimit të video incizimeve nga Kuvendi i Kosovës, prova me të cilat Prokuroria pretendonte se do të vërtetohej se Ismajl Kurteshi kishte hedhur gazin lotsjellës në Kuvend, është vënë në pah se këto video incizime i përkasin kohës kur ishte zhvilluar procedura për zgjedhjen e Presidentit e jo për Demarkacion për çka po zhvillohej procedura penale.

Lidhur me këtë fakt edhe vetë prokurorja Ferdane Sylejmani kishte shprehur habi, arsyetimi i saj kishte qenë që vetëm pas shfaqjes së atyre video incizimeve, po e vërente që nuk ishte video-incizimi i duhur.

Përkundër kësaj ajo kishte kërkuar që këto prova të cilat i përkisnin një rasti tjetër gjyqësor, të administrohen edhe për këtë rast duke u shprehur se të njëjtat veprime ishin kryer edhe në seanca të tjera plenare të Kuvendit.

Por Gjykata kishte vendosur që ta shpallë të papranueshme një provë të tillë e cila kishte datë tjetër, nuk ishte për rastin konkret e as nuk përputheshin me datat e shënuara në aktakuzë.

Më pas edhe vet prokurorja Sylejmani ka kërkuar që kjo provë të mos administrohej dhe duke qenë se Gjykata i ka shpallur të papranueshme provat nga ana e prokurorisë e megjithëse deputeti Bali Muharremaj e kishte pranuar fajësinë për hedhje të gazit lotsjellës, prokurorja Ferdane Sylejmani kishte thënë se tërhiqet nga ndjekja penale për dy të akuzuarit.

Lidhur me këtë ngatërrim të provave, arsyetimi i prokurores Sylejmani kishte qenë se ndonëse sapo ishte kthyer nga pushimi, nuk ishte e përgatitur mirë për seancë.

“Nuk jam e koncentruar dhe e përgatitur për seancë, meqenëse sapo jam kthyer nga pushimi”, kishte thënë prokurorja Ferdane Sylejmani.

Sipas aktakuzës, Bali Muharremaj dhe Ismajl Kurteshi akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm  në kohën sa ishin në opozitë në legjislativin e vendit  kur nëpërmjet këtyre formave kundërshtonin dy marrëveshjet e qeverisë atë për demarkacionin me Malin e Zi si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Sipas aktakuzës  më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës kanë përdorur armën apo mjetin e rrezikshëm dhe kanë penguar personat zyrtar dhe secili veç e veç ka hedhur gaz lotsjellës me qëllim të ndërprerjes së mbledhjes dhe që të pamundësohet  zhvillimi i punimeve në Kuvend.