Foto-ilustrim

Lirohen Çmimet e Ndërtimit

Sipas Agjencisë së statistikave çmimet e sektorit të ndërtimit janë më të ulëta në tremujorin e dytë të këtij viti në raport me periudhën janar-prill.

“Indeksi i tërësishëm i kostos të ndërtimit në Kosovë (IKN) në tremujorin e dytë (TM2) 2016 pësoi rënie prej (-1.5%), krahasuar me TM1 2016,” thuhet në publikimin e ASK-së.

Në këtë rënie të çmimeve ndikoi lirimi i energjisë  dhe transportit, por rënia u neutralizua nga rritja e kostove të pagave.

“Rënia më e madhe ishte te: kategoria e energjisë (-17.3%); transporti (-16.7%); materialet ndërtimore (-1.4%); si dhe kostot e tjera (-0.9%). Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve te kategoritë: paga (0.2%), si dhe materialet (materialet elektrike, 0.8% dhe hidro-sanitare, 0.8%,” bën me dije ASK-ja.

Më të ulëta çmimet në këtë tremujor janë  edhe në krahasim edhe me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Kurse Indeksi i Tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) në TM2 2016 pësoi rënie prej (-1.9%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2015). Rënia më e madhe u vërejt te kategoritë: transporti (-33.3 %); energjia (-16.5 %); materialet ndërtimore (-1.0%);  materialet elektrike (-1.0%) si dhe kostot e tjera (-0.1%),” sqaron ASK-ja.

Edhe në krahasim të muajve prill-qershor të këtij viti dhe vitit të kaluar Pati ngritje çmimesh që zvogëluan rënien e çmimeve në sektorin e ndërtimit.

“Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve ta kategoria e makinerive prej (3.3%) si dhe të materialet hidro-sanitare (1.9%),” thuhet në publikimin e ASK-së.