Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Ligji problematik, MKRS bën gati koncept dokumentin për amandamentim

Koncept dokumenti për teatrot miratuar javën që shkoi nga Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Kulturës, planifikon një rishikim ‘drastik’ të ligjit për teatrot në vend.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë thënë për Kallo.com se Koncept Dokumenti për Teatrot si opsion të rekomanduar ka paraparë plotësimin dhe  ndryshimin e ligjit aktual, i cili do të sjellë ndryshime të rëndësishme pozitive në politikat aktuale dhe në funksionalizimin e teatrove publike, sidomos atyre të qyteteve, veçanërisht sa i përket çështjeve financiare.

Feim Hoxha, drejtor i Departamentit Ligjor në MKRS, tha se Ministria do të fillojë hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Teatrot, sapo të marrë një vendim të shkruar nga qeveria.

“Përmes amandamentimit të ligjit aktual për teatrot do të definohen  saktë: kompetencat mes organeve udhëheqëse të institucioneve në teatrore duke evituar interferimet e kompetencave në mes organeve të lartcekura, statuset dhe emërtimet e teatrove publike të Kosovës, obligimet dhe të drejtat e punonjësve artistik dhe numrin e tyre, burimet financiare të teatrove publike të qyteteve, kodet buxhetore të teatrove publike të qyteteve etj”, ka thënë ai.

MKRS tashmë i mbetet të formojë një ekipi punues gjithëpërfshirëse për plotësim ndryshimet e ligjit për Teatrot.

Ligji aktual për teatrot, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2012, doli të jetë më shumë problem në zbatueshmerinë e tij, veçmas nga teatrore publike të qyteteve, të cila ende nuk kanë arritur të konsolidohet sipas këtij ligji, pikërisht për shkaka të defekteve të tij.

Pavarësisht vërejtjeve dhe kritikave nga komuniteti skenik në vend, MKRS-së iu deshën më se 6 vjet për të nisur proceduar për amandamentimin e tij.