Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme | Foto: KALLXO.com

Liberalizimi Afron Pozitën dhe Opozitën

Kryeparlamentari Kadri Veseli priti dje anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, me të cilët u pajtua  që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët për t’i garantuar të gjitha vendet e BE-së se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit.

“Pavarësisht dallimeve që kanë mbi mënyrën e shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”, thuhet në këtë deklaratë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com

Në këtë takim, prezent nga opozita ishin edhe anëtarët e këtij Komisioni nga radhët e AAK-së dhe  Nismës për Kosovën, por munguan ata të Vetëvendosjes.

I kontaktuar nga KALLXO.com, deputeti i Nismës, Zafir Berisha shpjegoi kërkesën shtesë, të cilën opozita (AAK-NISMA) e ka, duke ripërsëritur që nuk kanë hequr dorë nga qëndrimet e tyre të mëparshme në kundërshtim të kësaj Marrëveshjeje.

“Kemi shtu një paragraf se po mendojmë që nuk është potencu mjaftueshëm roli i opozitës në atë drejtim. Por, ne si opozitë zotohemi se çështjen e demarkimit do ta zgjidhim me mjete politike dhe diplomatike, por jo me forma tjera”, tha ai.

Berisha shtoi se nuk është thënë shprehimisht, por fakti që po kërkohet bashkëpunimi me opozitën tregon se pozita është e vetëdijshme që ky version nuk kalon.

Ndërkohë, Vetëvendosje, e cila dje nuk përfaqësohej në atë takim, nuk do të jetë pjesë e kësaj deklarate pozitë-opozitë.

“Nëse duhet sqarim teknik, anëtarja jonë në këtë Komision, Puhie Demaku ka qenë jashtë vendit”, tha Shkodran Hoti nga Zyra për Informim e Vetëvendosjes.

Por, pavarësisht kësaj, ai sqaroi se VV tashmë ka dhënë zgjidhjen për Demarkacion, planin 5-pikësh që javë më parë e prezantoi kryetari Visar Ymeri.

“Ne mendojmë që liberalizimin e vizave e përshpejton më së shumti kthimi i kësaj Marrëveshje në pikën zero”, tha Hoti.

Draft-Deklarata:

draft-deklarata

“Ne deputetët e Kuvendit të Kosovës të përkushtuar për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, përmes fuqizimit të demokracisë, fuqizimit të ligjit, të drejtave dhe lirive të njeriut;

Të përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe, stabilitet dhe bashkëpunim të mirë me Malin e Zi dhe me të gjitha vendet fqinje;

Pavarësisht dallimeve që kanë mbi mënyrën e shënjimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur.

Duke marrë parasysh këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit kërkojmë mirëkuptimin e vendeve të BE-së që qytetarëve të Kosovës t’u njihet e drejta e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës I kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave”.

Por, janë dy kriteret që përsëriten vazhdimisht nga ndërkombëtarët, e të cilat kanë mbetur ende të paplotësuara. Veç demarkimit të kufirit, tjetër kriter shumë është edhe luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.

http://kallxo.com/lobim-per-liberalizim/