Letra e kongresistit amerikan, Dana Rohrabacher, për Presidentin serb, Tomislav Nikoliq

Ekskluzive: Letra e Kongresistit Amerikan për Presidentin e Serbisë

Në raportimet e mediave të këtyre ditëve, jehonë e madhe i është dhënë një “propozimi” të kongresistit amerikan për shkëmbim eventual të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

KALLXO.com ka siguruar të plotë letrën e kongresistit Rohrabacher, në të cilën, ai e kritikon Serbinë për arrestimin e Ramush Haradinaj në Francë, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të vitit 2004.

Në këtë letër, Rohrabacher thotë se arrestimi i Haradinajt mund të krijojë tensione të reja në rajon.

Në këtë letër, Rohrabacher i flet Presidentit serb Nikoliq edhe për idenë e tij për një rregullim të ri të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Por në letër, Rohrabacher nuk përmend shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është raportuar ditëve të fundit.

“Në vend që Kosova të joshet në luftë për sovranitetin në këtë zonë me shumicë serbe (veriun), të dyja palët duhet të gjejnë një alternativë të përbashkët për kufirin e veriut që do të rezultonte me më shumë serbë në Serbi dhe më shumë kosovarë në Kosovë. Ky opsion është i mundshëm dhe nuk duhet të injorohet”, thuhet në letrën në të cilën nuk përmendet opsioni i raportuar në media që veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë, ndërsa vendbanimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’i bashkohen Kosovës.

Lexojeni më poshtë letrën e plotë të Dana Rohrabacher për Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq.

I nderuar President Nikoliq,

Po ju shkruaj meqë kam shërbyer afër tri dekada në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve në punët e Komitetit për Punë të Jashtme. Unë kam qenë pjesë e  përpjekjes në sjelljen e paqes së së qëndrueshme dhe stabilitetit në Europën Juglindore. Së fundmi, u dekurajova kur mësove se, muajin e kaluar, një fletarrest i para 13 viteve i Interpol-it u aktivizua ndaj ish kryeministrit dhe ish deputetit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Arrestimi i Haradinajt pasi mbërriti në Paris nga Kosova ishte një kthim mbrapa në raportet e Serbisë me Kosovën. 18 vjet pasi konflikti ka përfunduar, është koha për ta njohur përfundimisht se lufta e viteve 1998- 1999 ka përfunduar. Përpjekja për të ndaluar Haradinajn si “kriminel i luftës” – pasi ai dy herë është liruar nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për ish Jugosllavinë – ishte kundërproduktiv dhe thjesht heqje hapje e një plage të shëruar. Ky akt i hakmarrjes së paarsyeshme padyshim se do t’i minojë përpjekjet për të siguruar paqe dhe në mbajtjen e stabilitetit në Ballkan.

Kjo goditje në ndaj liderit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mundet lehtë të hapë derën e sulmeve të ngjashme ligjore ndaj liderëve serbë të përfshirë në gjakderdhje dhe pastrim etnik gjatë konfliktit të shëmtuar dhe brutal që e përshkoi Ballkanin pas rënies së Jugosllavisë. Për aq sa ndodhin veprime si kjo, afrohet mundësia e thyerjes së rendit civil dhe madje edhe shpërthimit të dhunës në një shkallë të pakontrollueshme. Në vend të të ushqyerit të flakës së konfliktit, të gjitha pjesët e Ballkanit duhet të kërkojnë pajtimin, prej të cilës mund të përfitojë i gjithë regjioni.

Në një shembull tjetër negativ: një tren me simbole provokative u nis drejt veriut të Kosovës, mbi lumin Ibër. Në vend që Kosova të joshet në luftë për sovranitetin në këtë zonë me shumicë serbe, të dyja palët duhet të gjejnë një alternativë të përbashkët për kufirin e veriut që do të rezultonte me më shumë serbë në Serbi dhe më shumë kosovarë në Kosovë. Ky opsion është i mundshëm dhe nuk duhet të injorohet.

Është koha që të dy qeveritë të marrin hapa për ta shmangur konfliktin mes Prishtinës dhe Beogradit, së pari duke tërhequr kërkesën për ndjekjen penale të krimeve të luftës përgjatë dekadave të konfliktit. Ky kapitull në historinë e Ballkanit duhet të mbyllet dhe nëse është e mundur edhe të harrohet. Të dyja palët nuk duhet të shikojnë mbrapa por para. Kjo qasje pozitive, nëse i jepet një mundësi, do të sjellë paqe dhe prosperitet në pjesën tuaj të botës.

Sinqerisht,

Dana Rohrabacher

Anëtar i Kongresit