Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por ideja nuk ka vdekur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por si ide ende ekziston.

Ai në një intervistë për Al Jazzera ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë, duke shtuar  se është një formulë për luftë.

“Jam i sigurt se presidenti serb është nostalgjik për ato kohë, që nënkupton se projekti politik i shkëmbimeve të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Por, nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilin mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. Shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë”- ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se republikat kanë nevojë për marrëdhënie normale.

“Nuk mund të kesh kufij perfekt etnik, gjithmonë do ketë njerëz që ndjejnë se janë në anën e gabuar të tij. Ajo që kemi nevojë janë republikat që kanë marrëdhënie normale dhe demokraci. Demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën”- ka shtuar Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka folur edhe lidhur me krijimin e Asociacionit.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion një-etnik.

“Asnjë serb i Kosovës nuk më ka shkruar ndonjëherë ndonjë letër, në bazë të së cilës kërkon Asociacion në bazë një-etnike” – ka thënë Kurti, duke shtuar se Beogradi insiston në këtë, jo serbët e Kosovës.

Kurti për Al Jazzera ka thënë se nuk i ka dhënë Beogradit ndonjë garanci për mosarrestimin e personave që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Natyrisht, jo. Garancia e vetme si qeveria demokratike është barazia për të gjithë, kushtetutshmëria nëpër të gjitha komunat e Kosovës, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale. Nuk mund të jap garanci për kriminelët që janë të listat e zeza të ShBA-së dhe Britanisë”- ka thënë Kurti.