Vlahoviq: Liderëve në Kosovë e Serbi po u konvenon agjenda e ndarjes për luftën e tyre politike

Ambasadori i Malit të Zi në Shtetet e Bashkuara, Miodrag Vlahoviq, gjatë debatit për të ardhmen e Kosovës në video-konferencën e organizuar nga Instituti i të drejtave të njeriut i Universitetit të Kolumbisë tha se liderët në Kosovë dhe Serbi po e shtyjnë para agjendën e ndarjes për problemet e tyre te brendshme politike dhe se nuk është shumë entuziast për qasjen e re amerikane.

“Unë mendoj se liderët në Kosovë dhe Serbi po promovojnë këtë agjendë për problemet dhe luftën e tyre të brendshme politike”, tha ai.

“Problemi me situatën Kosovë-Serbi është se duket pothuajse e pamundur të mendohet një zgjidhje për këtë problem që nuk do përfshinte në një farë mënyre edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, prandaj nuk jam shumë entuziast me qasjen e re amerikane”, tha Vlahoviq.

Tutje Vlahoviq u shpreh se kjo marrëveshje duket më shumë si tregtare dhe se Mali i Zi e konsideron të rrezikshme.

“Zgjidhja e re e propozuar duket më shumë si tregtare, shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve është një ide e rrezikshme dhe Mali i Zi nuk do ta përkrahte një marrëveshje të tillë, por nëse kështu vendosin Kosova dhe Serbia dhe nuk ka ndonjë implikim në rajon do ta përkrahnim edhe pse e vështirë të parashikohet,” shtoi tutje ambasadori malazez.

Ai tha se nuk pret ndonjë marrëveshje në këta muaj për shkak të zgjedhjeve në ShBA dhe situatës me pandeminë, por edhe pse kjo ide e përkrahur deri diku nga Richard Grenell është kundërshtuar në shumicë nga dy vendet.

“Na duhet një zgjidhje stabile dhe marrë parasysh gjithë situatën me zgjedhjet në ShBA dhe me pandeminë nuk shoh ndonjë marrëveshje këta muaj, situata është mjaft komplekse, rajoni po vuan nga shumë probleme që nuk janë zgjidhur me sukses pas luftërave tragjike të Jugosllavisë. Ajo që duket se po përkrahet edhe nga Richard Grenell është duke u kundërshtuar në shumicë nga dyja vendet. Problemi kryesor mbetet nacionalizmi dhe ksenofobia në dy anët e kufirit”, përfundoi Vlahoviq.