Besnik Bicaj - FOTO KALLXO

Largimi i mjekëve nga QKUK, kirurgu Besnik Bicaj jep dorëheqje

Kirurgu abdominal Besnik Bicaj ka dhënë dorëheqje nga puna e tij në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Ju konfirmojmë se dr. Bicaj, ka ofruar dorëheqje tek drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale për arsye personale, e njëjta ende nuk është miratuar nga drejtoria”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të QKUK-së dhënë për KALLXO.com

Sipas QKUK-së drejtori  i Klinikës ka kërkuar që të gjitha ekipet kujdestare  në listën e fundit të ndërrohen pozicionet e kirurgëve të rinj.

Kjo siç merr vesh KALLXO.com ka shkaktuar pakënaqësi te disa prej kirurgëve.

Sipas Qendrës Klinike Universitare largimi i çdo kirurgu nga Klinika nuk i mirëseardhur.

KALLXO.com mëson se doktor Bicaj është ndër të vetmit kirurg abdominal që e kryen procedurën ERCP te pacientët, procedurë kjo që bëhet për të ekzaminuar pankreasin dhe rrugët biliare.

Edhe QKUK e pranon se me largimin e Bicajt kjo metodë në gjithë Klinikën mund të kryhet vetëm edhe nga doktori Halil Tanaj.
Bicaj nuk ka dashur të flasë për arsyet që e quan në ofrimin e dorëheqjes së tij nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.