Kuvendi i Pushimit, Sefasë dhe Rrogave të Pamerituara

Pas mbledhjes së parë të kryesisë, kryeparlamentari Veseli kishte thënë se në vitin 2016 pret dialog politik.

“Besoj që e kemi marrë mësim nga ajo që kemi kaluar, nuk dua të predikoj as pozitën e as opozitën, por të gjithë bashkërisht, sepse e kemi lodhë popullin, njerëzit nuk janë të kënaqur me ato se çka shohin, pavarësisht se a janë pozitë a opozitë, sepse kanë qejf me pa seriozitet pak ma shumë, njerëzit kanë qejf me iu përmirësuar jeta e tyre,” kishte thënë Veseli.

E gjatë gjithë vitit, debati politik mes pozitës e opozitës nuk u konsolidua kurrë. Edhe disa tentativa që krerët e pozitës e opozitës të bëhen bashkë në çështjet me rëndësi për vendin, rezultuan pa sukses.

Referuar sekretariatit të Kuvendit, në mungesë kuorumi janë shtyrë 6 seanca plenare.  Veç kësaj, ka edhe seanca të cilat kanë nisur, por në mungesë kuorumi janë shtyrë dhe nuk janë votuar projektligje dhe rezoluta.

Shpesh herë deputetëve u është tërhequr vërejtja që nuk do t’i marrin mëditjet nëse nuk rrinë deri në fund të seancave për të votuar. Por, kjo nuk ishte marrë parasysh nga ta, e kuvendi shpesh ka mbajtur seanca fillim-e-fund pa vonesa, pa ndërprerje e në fund votimet kanë dështuar në mungesë kuorumi.

Herë në mungesë kuorumi e herë në mungesë votash, në kuvend kanë dështuar të votohen  një sërë rezolutash. Kujtojmë propozim-rezolutat për kodin telefonik dhe për gjendjen në veri të vendit, të cilat në mungesë kuorumi u shtynë por votim, por edhe kur u mblodhën deputetët ato nuk kaluan.  E është votuar e modifikuar “rezoluta e butë” për Nehat Thaçin, i cila u plotësua  disa herë . Por, edhe në rastet kur ato janë votuar, pozitë e opozitë janë ankuar që rezolutat nuk po zbatohen.

17 dhjetori ka qenë dita kur deputetët u mblodhën për herë të fundit vitin 2015 për ta dëgjuar fjalimin vjetor të Presidentes Atifete Jahjaga dhe më pas, në një seancë të veçantë votuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ndërsa këtë vit, më 30 dhjetor kuvendi po i mbyll punimet me ndryshim-plotësimet në projektligjin e veteranëve, i cili u vendos të shqyrtohet brenda ditës në të dyja leximet.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sesioni pranveror i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të muajit janar.  Në bazë të Rregullores së Kuvendit,  Kryetari i Kuvendit  i njofton deputetët për datën e  fillimit dhe atë të mbarimit të sesionit të punimeve të Kuvendit.