Kurti: Shkollimi në Kosovë kurrë s'ka qenë më i shtrenjtë dhe më i dobët

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen e arsimit në Kosovë tha shkollimi në Kosovë kurrë s’ka qenë më i dobët.

“Arsimi në Kosovë është për arsimtarët jo për nxënësit. Pjesa më e madhe e buxhetit shkon në paga. Shkollimi në Kosovë kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe më i dobët. Raporti i fundit i PISA thotë se shkollat në klimë më disiplinore nxënësit arrijnë arritshmëri më të lartë, rezultate më të mira. Ky është përjashtim i rregullave tek ne i gjendjes në të cilën nuk mund të thuhet se ka rregulla”, tha Kurti në fjalën e tij.

Ai shtoi se shkollat duhet të mësojnë jo vetëm aftësi por edhe vlera tek nxënësit.

“Unë besoj që në frymën e eseve të një filozofi gjerman, shkollat duhet të mësojnë jo vetëm aftësitë por edhe vlerat, sepse kur nuk i mësojmë ato si mësojmë as aftësitë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se të varfëritë në Kosovë për shkak të kushteve nuk po arrijnë të mësojnë, ndërsa të pasuritë nuk po kanë nevojë të mësojnë.

“Mbifurnizimi me disa profesione dhe mungesa e theksuar në disa të tjera janë dukuri e normalizuar në këtë hendekun e shkathtësive. 52% e studentëve në arsimin e lartë studiojnë shkenca shoqërore, biznes ose juridik vetëm 2% bujqësi”, shtoi Kurti.