Tahiri i AAK-së i quan të turpshme deklaratat e Kurtit për Blerim Isufaj

Emri i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është një nga emrat më të lakuar në fushën e drejtësisë në vitet e fundit. Krejt kjo për shkak të kritikave që i janë bërë veçmas nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se me këtë instancë të lartë e shtetit duhet të merret vetëm Këshilli Prokurorial i Kosovës. 

Sipas tij, “nuk është detyrë as e Albin Kurtit, as e Vjosa Osmanit, as e Glauk Konjufcës, as e Ramush Haradinaj e as dikujt tjetër” për me treguar se cili është personi që e emëron Kryeprokurorin.

Kështu u shpreh Tahiri në debatin zgjedhor “DebatPërnime” përballë Jeta Xharrës, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës, aty ku kandidatët për deputetë të kësaj partie patën mundësinë që të shpalosin programin e tyre zgjedhor dhe në të njëjtën kohë të ballafaqohen me pyetje.

Duke shpalosur zotimet e tij nëse arrinë që së bashku me partinë e tij të fitojnë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025, Tahiri tha se është e pakuptimtë që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të sulmohet në vazhdimësi prej kryeministrit dhe ministres të Drejtësisë në foltore të Kuvendit, “aty ku fjala e tyre është e mbrojtur ligjërisht”.

“Ajo që është folë për sistemin e drejtësisë dhe kryeprokurorin Isufaj është e turpshme për një demokraci funksionale dhe për një shtet që kërkon llogari. Unë nuk e njoh Blerim Isufajn. Nuk e di kush është. A është i mirë a i keq, është sistemi që e përcakton. Por, deri më tani çka është parë, është që është shumë i guximshëm për të adresuar çështje”- tha Tahiri.

Ndërsa, kandidati për deputet, Arton Demhasaj, tha se sa më shumë që flasin për sistemin e drejtësisë, aq më shumë ky sistem do të jetë i ndikuar politikisht. Kështu që, sipas tij, rruga e tyre është që të flasin sa më pak për këto çështje.

“Ka ndodhë që me shkelje kushtetuese Presidentja e ka kthyer mbrapa një vendim të Këshillit Prokurorial për ta emëruar Kryeprokuror Blerim Isufajn. Mendoj që është shkelje, dhe këto shkelje nën qeverisjen tonë nuk do të ndodhin”- shtoi ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se kryeprokurori Blerim Isufaj, e di se kush nga prokurorët në të kaluarën ka shkuar në zyret e ish-kryeministrave.

Deklarata e ministres Haxhiu pasoi pas debatit rreth ftesës së Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti, për t’u intervistuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore dhe këmbënguljes së tij për të mos u paraqitur për intervistim në zyret e Prokurorisë.

“Blerim Isufaj e di shumë mirë  kush nga prokurorët kanë shkuar në zyret e ish-kryeministrave, por nuk flet për këtë gjë. Prandaj, ju lutem si gazetarë që të insistoni që përgjigjet e tilla t’i merrni nga kryeprokurori Isufaj” – tha Haxhiu para gazetarëve më 10.01.2025.

Së fundmi, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë. Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin Isufaj, të cilin e quajti “regjisor” të asaj “pamjeje të mundshme”.

Kurse, kryeprokurori Isufaj, duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, në një konferencë për media me 30.12.2024, tha se “të gjithë janë të barabarë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.

“Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi” – tha Kurti në një emision në Kohavision më 29.12.2024.

Për më shumë klikoni në link:

Zotimet e AAK-së në “Debat Përnime” për çkapje të sistemit të drejtësisë- VIDEO