Kryhet me Sukses Një Operacion i Rrallë Vaskular

Një operacion tepër i rrallë dhe me rrezikshmëri të lartë është kryer me sukses ditë më parë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pacient ishte një grua në moshë të shtyrë, e cila kishte zgjerim gjigant të arteries së shpretkës dhe një cistë enorme në veshkën e djathtë.

Sipas zyrtarëve të QKUK-së, ky operacion është i një rrezikshmërie të lartë dhe vdekshmëria te rastet e tilla shkon deri në 50 për qind.

Meqë kishte rrezik të madh që të plaste aneurizma, ekipi mjekësor vendosi që pacientja t’i nënshtrohej patjetër dhe menjëherë intervenimit kirurgjik, njofton përmes një komunikate QKUK.

Rastet me dimensione të tilla nuk ishin operuar asnjëherë më parë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare. Po ashtu, dimensionet e tilla nuk janë raportuar në literaturën mjekësore që nga viti 2005.

Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, me ç’rast është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacientja pas 6 ditëve të hospitalizimit është lëshuar në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Foto- Ekipa e operacionit