Petrit Kryeziu, zyrtar ligjor i BIRN-it - Foto: KALLXO.com

Kryeziu: Gjyqtarët e Kanë Obligim ta Njoftojnë Prokurorinë për Veprat Penale

Se sistemi gjyqësor nuk është duke i trajtuar fajdet me seriozitet tregon edhe rasti i dëshmisë së Azem Tuzit në Gjykatën e Istogut. Dëshmia e tij para gjykatësit Daut Demiraj për fajden është injoruar plotësisht.

Petrit Kryeziu, zyrtar ligjor i BIRN-it, thotë se gjyqtarët e kanë obligim ta raportojnë veprën penale.

“E mira kish me qenë që pala vetë ta njoftojë Policinë apo Prokurorinë. Mirëpo, jo çdoherë palët e dinë se ku duhet të njoftojnë dhe ka raste kur e njofton në Gjykatë dhe gjyqtari është dashur që atë deklaratë ta fusë në procesverbal zyrtar dhe ta njoftojë kryeprokurorin”, tha Kryeziu, i cili gjithashtu ka shtuar se ka vend për hetime disiplinore për gjyqtarin në fjalë.

“Në rastin e tillë nëse nuk është njoftuar kryeprokurori atëherë këtu besoj që ka vend për hetime disiplinore për mos me thënë edhe penale nga Zyra e Prokurorit Disiplinor. Edhe nëse ka ndodhë në të kaluarën që pala vetë e ka njoftuar prokurorinë prapë gjyqtari është dashur ta njoftojë kryeprokurorin dhe prokuroria është kompetente të merret me vepra penale”, potencon Kryeziu.

Azem Tuzi kishte rrëfyer para gjykatësit se borxhi i cili po gjykohej ishte për fajde por asnjë veprim nuk ishte ndërmarrë.

“Është edhe në procesverbal që disa herë e kam cekë se ky nuk është borxh po është pare me fajde ndërsa gjyqtari Daut Demiraj nuk nijke për atë punë”, tha Tuzi për emisioni “Drejtësia në Kosovë“.

Sipas Ligjit, në rastet kur gjykatësit hasin në kryerjen e një vepre penale e që në këtë rast është vepra penale e kontraktimit joproporcional, duhet ta njoftojnë prokurorinë e shtetit. Por, çuditërisht gjyqtari në Gjykatën e Istogut Daut Demiraj nuk e kishte zbatuar këtë obligim ligjor.

“Duhet mu faktu gjatë seancës, unë, ti, ai tjetri, po ja ka marrë qikaq me fajde, janë qikaq ato nuk janë vërtetu me asnjë provë gjatë gjykimit, edhe pse është përmendur është dispozita që të thotë që kjo nuk provohet edhe fund”, shprehet Demiraj.

Familja Tuzi tash pret përmbarimin e dhunshëm të ekzekutimit të borxhit pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Mirëpo, Azem Tuzi po thotë së fajdeja iu legjitimua nga dy shkallët e gjykatave në Kosovë dhe se ai nuk e ka ndërmend ta paguajë këtë borxh.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë“ kushtuar kërcënimit të dëshmitarëve të rasteve të fajdeve mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.