Leposaviq, gjatë një bastisjeje Policia gjen narkotik, armë zjarri, municion dhe një radiolidhje

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) Mitrovicë-Veri, ka kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet percjellëse të një qytetari në fshatin Zamenicë të Leposaviqit dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 6 qese me sasi të substancës së dyshuar të llojit marihuanë me peshë rreth 2600 gramë,

1 pushkë gjuetie dytytëshe me 26 fishekë, 4 karikatorë të armës së gjatë “AK-47” me 23 fishekë, dhe një radiolidhje.

Sipas Policisë, në lidhje me rastin Njësia e forenzikës ka bërë fotografimin dhe sekuestrimin e provave, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet – shitblerje e narkotikëve dhe – armëmbajtje pa leje.

Lidhur me rastin personi i dyshuar nuk është hasur në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor, derisa rasti është duke u trajtuar nga njësitë relevante policore sipas kompetencës.

Policia ka njoftuar se aksioni i bastisjes është ndërmarrë pas pranimit të informacioneve se një person i dyshuar dyshohet se ka në posedim sasi të dyshuara të substancave narkotike.