Foto: KALLXO.com

Prizren, akuzohet se vendosi 500 lekë në lejen e qarkullimit të automjetit, shtetasi i Shqipërisë dënohet me burgim me kusht dhe gjobë

Me 6 muaj burg me kusht dhe 500 euro gjobë është dënuar shtetasi i Shqipërisë, Arqile Vangjeli.

Vangjeli, sipas Prokurorisë së Prizrenit, akuzohet se gjatë hyrjes në Kosovë, në pikën kufitare në Vërmicë, ia dorëzon zyrtarit policor dokumentet duke vendosur edhe një kartëmonedhë 500-lekësh.

Me këtë Vangjeli akuzohet se ka kryer veprën penale – dhënie e ryshfetit.

Aktakuza përfaqësohet nga Genc Nixha, ndërkaq të njëjtin e ka zëvendësuar prokurori Petrit Kryeziu.

Lidhur me këto pretendime, i akuzuari pas konsultimit me avokatin Esat Gutaj në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë.

“Pranoj fajësinë, por nuk i kam vendosur me dashje…” – deklaroi i akuzuari.

Prokuroria nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë.

Ndaj të njëjtit gjykatësja e krimeve të rënda, Teuta Krusha, ka shqiptuar dënimin 500 euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht nëse brenda 1 viti nuk kryen vepër të re penale.

Sipas Prokurorisë, Arqile Vangjeli, akuzohet se më 12 dhjetor 2022, rreth orës 22:00, në pikën kufitare të Vërmicës, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron personit zyrtar përfitim pasuror që të veprojë ose mos veprojë në pajtim me detyrën zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se duke drejtuar automjetin-kamion, i dorëzon dokumentet, ashtu që në librezën e qarkullimit të automjetit e ka vendosur kartëmonedhën në shumën prej 500 lekësh me ç’rast është ndaluar nga autoritetet e policisë kufitare në Kosovë.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – dhënia e ryshfetit.